Ivanka Trump, vajza e presidentit të SHBA Donald Trump dhe këshilltarja e tij, nuk do të jetë kandidate e SHBA për kreun e Bankës Botërore.
Ajo, megjithatë, do të ndihmojë në përzgjedhjen e kandidatëve amerikanë, njoftoi Shtëpia e Bardhë, transmeton Bloomberg.
Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim papritur javën e kaluar njoftoi se heq dorë nga kjo pozitë, më shumë se tre vjet para përfundimit të mandatit.
“Sekretari amerikan i Thesarit Steven Menuchin ka kërkuar nga Ivanka Trump për të ndihmuar në procesin e zgjedhjeve të SHBA, e cila në dy vjetët e fundit ka punuar ngushtë me udhëheqjen e Bankës Botërore”, ka thënë Jessica Dito, zëvendësdrejtoreshë e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë.
Dito theksoi se informacioni rreth konsideratës së Ivanka si kandidate ishte i pasaktë.
Komiteti i Bankës Botërore njoftoi të enjten se do të fillojë të marrë nominimet për një udhëheqës të ri muajin e ardhshëm dhe se do të emërojë një zëvendësim për Kim deri në mes të prillit. /kp/Telegrafi/