Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të cilët dyshohen për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit që ndodhi më 29 nëntor 2024.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve J.V. dhe D.V., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve J.V. dhe D.V., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, tha Gashi.
Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Jovan Viqentijeviq dyshohet se bashkë me vëllanë e tij, Dragisha Viqentijeviq me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv.
Kujtojmë se policia kishte bërë të ditur se shpërthimi ishte shkaktuar nga 20 kilogramë eksploziv. Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si sulm terrorist dhe se përgjegjëse thanë se është Serbia. /Telegrafi/