Fotot e publikuara nga e përditshmja angleze “The Sun” ku shfaqej Wayne Rooney i cili e kishte tepruar paksa me pijen, i kanë krijuar telashe sulmuesit, i cili është detyruar t’i kërkojë falje trajnerit Gareth Southgate.
Ngjarja ndodhi në hotelin e kombëtares angleze, edhe pse në ditën ku lojtarët ishin të lirë, ndaj sulmuesi e ka parë të udhës që t’i shpjegonte vetë Southgate dhe drejtuesve të Federatës ndodhinë.
Futbollisti u la jashtë skuadre për miqësoren me Spanjën dhe ndonëse trajneri insistoi se e kishte bërë një gjë të tillë për shkak të një dëmtimi të lehtë në gju, shumë shpejt e vërteta doli në shesh pasi tabloidi publikoi fotot.
“Sigurisht që Wayne i vjen keq që foto të cilat ai i kishte bërë me tifozë u publikuan”, tha një zëdhënës i kompanisë që menaxhon futbollistin. “Edhe pse ishte një ditë pushimi për të gjithë skuadrën dhe stafin, ai e kupton plotësisht se imazhe të tilla janë të papërshtatshme për një person në pozicionin e tij.
Sot ai foli me Southgate që të kërkonte falje. Ai do të kërkonte që këtë falje t’ua kërkonte edhe të gjithë fansave që i kanë parë ato foto”, ishin fjalët e stafit të Rooneyt, ndërsa Federata Angleze e Futbollit ftoi publikisht lojtarët të ishin të kujdesshëm me atë që bënin.