Kryetari i Degës së Parë të LDK-së në Prishtinë, Ismet Beqiri në një lidhje telefonike në “Debat Plus” thotë se disa individë nga Dega e Parë po kërkojnë dorëheqjen e tij.
“Dorëheqja po kërkohet nga disa individë e jo nga Dega e Parë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Beqiri thotë se dorëheqja nuk jepet në Facebook por pasi të mblidhet Kryesia e degës.
“Do të thërras Kryesinë e Degës dhe do të marr vendim”.
Në një komunikatë të shpërndarë Dega e parë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të kësaj dege, Ismet Beqiri, të cilin e konsiderojnë përgjegjësin kryesor të, siç e quajnë atë, rezultatit negativ.
“Vlerësojmë se, Kryetari Beqiri, është shkaktari kryesor i gjendjes së krijuar në degën e I-rë në LDK në Kodrën e Trimave, pasi që sikurse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, e po ashtu edhe në këto të fundit të vitit 2021 ka ndikuar të kemi rezultatin më negativ që nga themelimi i partisë së krijuar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova”, thuhet në komunikatën e degës së parë të LDK-së./Telegrafi/