Telegrafi

Iu dha lamtumira e fundit Ilriana dhe Dardane Perteshonit

Me nderime të mëdha u përcollën për në banesën e fundit, Iliriana Perteshoni – këshilltare politike e ish-ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferihd Agani – dhe motra e saj Dardana Perteshoni, të cilat humbën jetën dje në një aksident komunikacioni në magjistralen Gjakovë-Klinë.

Paraprakisht, në kujtim të tyre, nën patronatin e Komunës së Gjakovës u mbajt një mbledhje komemorative, ku pastaj pranë trupave të pajetë të dy vajzave të reja, homazhe bënë përfaqësues të institucioneve qendrore, përfaqësues nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, përfaqësues të partive politike, si dhe qytetarë të shumtë.

E para e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, kujtoi Ilirianën që nga fillimi i veprimtarisë së saj në Partinë e Drejtësisë, duke e përshkruara atë njeri engjëllor e me ndjenja patriotizmi.

Ndërsa, në mes lotësh, motra e Ilirianës dhe Dardanës, Albana, shprehu dhimbjen për vdekjen e papritur të dy motrave të saj, por në të njëjtën kohë edhe krenarinë për shembullin e treguar sa ishin gjallë. /KP/