Valon Behrami nuk është më një futbollist i skuadrës zvicerane Sionit.
Mesfushori shqiptar ka shkëputur kontratën me klubin e tij Sionin, vetëm pas katër muajsh që nënshkroi.
34-vjeçari iu bashkua klubit zviceran si një transferim i lirë nga skuadra italiane Udinese, por aventura e tij në Zvicër nuk shkoi në mënyrën më të mirë.
Mediat zvicerane kanë raportuar se deri tek shkëputja e kontratës ka ardhur pasi Behrami fillimisht ishte përjashtuar nga klubi.
Behrami i ka thënë televizionit zviceran RSI se kontrata është shkëputur me marrëveshje të dyanshme.
Lojtari e nisi mirë aventurën me Sionin, por më vonë nuk preferohej nga trajneri Henchoz dhe kjo e irritoi atë.
Tani lojtari do të shikojë mundësinë të largohet nga futbolli zviceran dhe në janar mund ta bëjë transferimin e radhës.
Për Behramin kjo ishte aventura më e shkurtër deri më tani në karrierë, pasi ka luajtur për klube të njohura si Lazio, Fiorentina, Napoli, Watford, West Ham United, Hamburg, Verona e Genoa. /Telegrafi/