Site icon Telegrafi

Iu bë atentat në Bruksel më 28 prill, ndërron jetë Agustin Kaza – dyshohet se u vra për gjakmarrje

44-vjeçari shqiptar, i cili u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e së dielës, 28 prill, në tarracën e një kafeneje në komunën Schaarbeek të Brukselit, ka ndërruar jetë të hënën.

Augustin Kaza, ishte ulur në një kafene, kur një burrë i maskuar e qëlloi katër herë, raporton De Standaard.

Kaza mori një plumb në kokë dhe tre në gjoks, ndërsa u dërgua në spital në gjendje të rëndë. Policia ende nuk e ka identifikuar apo arrestuar autorin, ndërsa hetimet vijojnë ende për zbardhjen e ngjarjes.

Trupi i viktimës pritet të mbërrijë në Shqipëri të martën dhe ceremonia mortore do të zhvillohet të mërkurën në Orosh të Mirditës.

Agustin Kaza dyshohet se u vra për gjakmarrje. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 44-vjeçari është vëllai i Martin Kazës, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në 3 korrik të 1997 në Mirditë.

Martin Kaza është dënuar me 22 vite burg për vrasjen e vëllezërve Dod dhe Augustin Gjini të cilët dyshoheshin se i kishin vrarë vëllain.

Ai u ekstradua nga Britania e Madhe në vendin tonë, në dhjetor të vitit 2017.

Exit mobile version