Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup ka përshëndetur vendimin për shenjtërimin e Nënës Terezë në Shën Tereza, transmeton Telegrafi Maqedoni.
”Ne si Institut, në bashkëpunim me Shoqatën e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, Institutin Shqiptar në St. Galen të Zvicrës, Arkivin Shtetëror të Lucernit në Zvicër, Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar në Tiranë, Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Shoqatën Zvicër-Shqipëri, me rastin e ditëlindjes dhe në vigjilje të shenjtërimit të saj, më 26 gusht 2016, në Shkup hapëm ekspozitën me titull “Shenjtorja nga Shkupi-korrespondenca”. Në të për herë të parë, në mënyrë argumentuese dhe shkencore u vu në pah veçanërisht aspekti i saj identitar shqiptar, i cili fatkeqësisht shpeshherë është bërë cak i sulmeve nga diletantë të ndryshëm të historisë për arsye të tyre të ulëta dhe subjektive.”
”Konsiderojmë se përmes kësaj ekspozite origjinale me dokumente e letërkëmbime, e cila ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm gjithandej, kemi arritur që sado pak botës t’ia ofrojmë një pasqyrë më reale të shenjtores tonë.” thonë nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup./Telegrafi/