Në Itali, pas aksidenteve të rënda, autorëve do t’u hiqet përgjithmonë patenta e shoferëve?
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Italisë, Matteo Salvini, planifikon të ndryshojë rregulloret e trafikut rrugor dhe kërkon dënime më të ashpra për shoferët që vozitin veturat në gjendje të dehur apo të droguar pas një sërë aksidentesh të rënda që përfshijnë të rinjtë e vrarë në vend ditët e fundit.
“Për rastet më të rënda duhet të merret parasysh pezullimi i përjetshëm i patentës. Nëse dikush drejton me vetëdije nën ndikimin e drogës ose në gjendje të dehur, duke shkaktuar aksidente, lëndime dhe vdekje, nuk mjafton t’iu merret patenta për një vit ose dy. Në raste të tilla, një pezullim i përjetshëm mund dhe duhet të konsiderohet patentë shoferi”, tha Salvini.
Italia po planifikon gjithashtu rishikimin e rrgulloreve për gjoba, ku një të tillë të lartë duhet të paguajnë ata me të ardhura më të larta, është plani i Ministrisë së Transporteve.
Në gjysmën e parë të vitit 2022, numri i aksidenteve në Itali është rritur ndjeshëm. Nga janari deri në fund të qershorit 2022 janë raportuar 81,437 aksidente trafiku, që është një rritje prej 24,7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
1450 persona humbën jetën në aksidente, që korrespondon me një rritje prej 15 për qind krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2021. /Telegrafi/