Site icon Telegrafi

Italianët në vështirësi nuk i paguajnë faturat

Se italianët nuk e kanë kulturën e të paguarit të një produkti apo shërbimi, kjo nuk është një risi. Por të dhënat e fundit flasin për krizë. Faturat e papaguara kanë arritur në rreth 6 miliardë euro, dhe borxhlinjtë janë rreth 375 mijë. Faturat e dritave, ujit, gazit, e shumë shërbimeve të tjera publike, por edhe qiratë e shtëpive, përbëjnë pjesën dërrmuese të shumës prej 6 miliardë euro.

Vetëm faturat e dritave dhe gazit përfaqësojnë një borxh prej 259 milionë eurosh, që nuk është aspak i vogël po të kemi parasysh se bëhet fjalë për shërbime për të cilat mospagesa e detyrimeve përkthehet në ndërprerje të shërbimit por edhe në kamata të majme.

Po të llogarisim edhe ata që i vonojnë pagesat e faturave të tyre, borxhlinjtë fiksohen në 500 mijë, vetëm për shërbimet bazë, si drita dhe gaz. Por një problem edhe më serioz, janë qiratë e shtëpive. Një studim i fundit tregon se, gjysma e qiradhënësve nuk paguhen në kohë, apo nuk paguhen fare nga qiramarrësit.

Në Milano kjo normë fiksohet në 24%, ndërkohë që në Romë shkon në 58%. Nga njëra anë qëndrojnë ata të cilët nuk arrijnë të paguajnë në kohë qiranë për shkak të vështirësive ekonomike, dhe nga ana tjetër qëndrojnë ata të cilët shfrytëzojnë hapësirat ligjore për të mos i paguar aspak detyrimet e tyre. Edhe kreditë e shtëpive përbëjnë një problem.

Gjatë vitit të kaluar, fondi i solidaritetit pezulloi për 18 muaj për 37 mijë familje në vështirësi ekonomike pagesën e kësteve të huas. Shifra fiksohet në 3.5 miliardë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version