Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim sot ka dorëzuar aparaturë në vlerë prej 370 mijë euro për Klinikën e Kardiokirurgjisë pranë QKUK-së.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili u shpreh se dhurimi i këtyre pajisjeve po rrit kapacitetet në Klinikën e Kardiologjisë të cilat do kenë ndikim në uljen e shpenzimeve të pacientëve, dhe në ofrimin më të mirë të shërbimeve mjekësore.
“Projekti ka të bëjë me pajisjet që janë dhuruar dhe që kanë të bënë hapjen e sallës së dytë të kardiokirurgjisë, hapjen e intensives, pra të gjitha këto rezultojnë në shërbime më të shpeshta për pacientët tanë pra do të jenë më shumë pacientë që do të marrin shërbime, pra kemi zhvilluar kapacitetet të reja dhe këto kapacitete janë munduar nëpërmjet pajisjeve të dhuruara nga shteti i Italisë në këtë rast por gjithnjë me punën e punëtorëve shëndetësor tanë“, u shpreh Ismajli.
Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Piero Cristoforo Sardi u shpreh se kjo është faza e parë e dhurimit të disa pajisjeve mjekësore për këtë klinikë, pasi që shumë shpejt mjekët e këtij reparti do kenë edhe një trajnim nga mjekët italianë.
“Ne jemi këtu me ministrin Ismajli për të parë rezultatin e pjesës së parë të projektit tonë të bashkëpunimit që është financuar nga Qeveria italiane me një shumë të përgjithshme prej 3 milionë eurosh. Kjo është faza e parë me dhurimin e disa pajisjeve mjekësore dhe kirurgjike në klinikën e kardiokirurgjisë këtu në Prishtinë. Dje, kemi filluar edhe nënshkrimin e një kontrate për projektin e mbështetjes për këtë klinikë. Ka projekte të tjera që do të vazhdojnë në këtë kuadër. Falënderoj ministrin Ismajli për mbështetjen dhe shtytjen që ka bërë për zbatimin më të shpejtë të këtij projekti. Kjo është pjesë e mbështetjes së përgjithshme të Italisë për Kosovën në një sektor që është shumë i rëndësishëm, sektori i shëndetësisë. Ne duam të arrijmë së shpejti marrëveshje të reja dhe nisma të reja”, tha ambasadori Sardi.
Ndryshe, dje një grupi i spitaleve italiane, i përfaqësuar nga spitali pediatrik “Meyer”, nga Firence kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dy vjeçare me Ministrinë e Shëndetësisë për forcimin e aftësive profesionale të personelit shëndetësor të repartit të Kardiokirurgjisë në QKUK.