Shefi i instituteve shëndetësore në Itali, mjeku Silvio Brusafero, ka deklaruar se në këtë vend është arritur piku i krizës së epidemisë së coronavirusit dhe se sipas tij do të duhej të fillonte rënia e numrit të rasteve të reja.
Brusafero ka shtuar se do të ishte çmenduri të zvogëloheshin masat preventive të qeverisë italiane të cilat kanë dhënë rezultate pozitive, që nënkuptojnë ndalimin e lëvizjeve dhe qëndrimin nëpër shtëpi, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë që Italia ka hyrë në javën e tretë të ndalimit të lëvizjes për qytetarët, kjo për shkak se në vend është shënuar një numër i madh i të prekurve dhe vdekurve nga COVID-19.
“Jemi në pikun e coronavirusit. Duhet ta konfirmojmë këtë, pasi që arritja e pikut të krizës nuk do të thotë se gjithçka ka mbaruar. Kjo do të thotë se tani duhet të ketë rënie nëse punojmë shumë dhe i kushtojmë vëmendje gjërave që i bëjmë çdo ditë”, ka shtuar ai.
Shifrat e publikuara nga agjencia italiane për mbrojtje civile, konfirmojnë rënien, me vetëm 4.053 raste të reja, që në total i bie 105.792. Italianët besojnë se janë në pikun e krizës së coronavirusit, pasi numri i rasteve me vdekje ka filluar të bie derisa i atyre që po shërohen dita ditës po rritet.
Për vetëm një ditë janë shëruar 1.109 persona, kurse në repartin e kujdesit intensiv janë shtrirë 4.023 e ata që po shërohen në shtëpi – 45.420. Megjithatë, italianët bëjnë thirrje për më shumë kujdes, sepse përhapja e virusit mund të vazhdojë nëse i marrin gjërat shtruar, më saktësisht nëse nuk respektojnë masat e vëna nga qeveria italiane.
Përveç kësaj, është hapur një spital i improvizuar në Milano, ku do të vendosën pacientët që janë të shtrirë nëpër repartet e kujdesit intensiv të spitaleve tjera. Përqindja e vdekjeve në Itali është e lartë që në fakt konsiderohet si më e larta në botë. E vendi që më së shumti është goditur është rajoni i Lombardisë, ku numri i rasteve të reja ka shënuar rënie gjatë 24 orëve të fundit – janë regjistruar vetëm 1.047 raste e të vdekur 458.
Kujtojmë që nga fillimi i epidemisë në Itali janë infektuar 105.792 persona, derisa numri i të vdekurve ka shkuar në 12.428. /Telegrafi/