Telegrafi

Italianë, ejani investoni në Kosovë

Mustafë Hasani, kryeshefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK), së bashku përfaqësues tjerë nga institucionet e Kosovës po qëndrojnë në Regjionin Marche të Italisë për të promovuar klimën e favorshme për investime në Kosovë, si dhe për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar në mes afaristëve kosovarë dhe italianë.

Delegacioni kosovar ka pasur takime me Presidentin e Regjionit të Marche, me Odën Ekonomike Tregtare të regjionit të Marche, me Institutin e Biologjisë për Hulumtime dhe Zhvillim Ekonomik, Dhomën e Industrisë.

Ndërsa, në konferencën "Fokus mbi Republikën e Kosovës”, që u mbajt në Fermo, kryeshefi i APIK-ut Mustafë Hasani, prezantoi mundësitë e investimeve në Kosovë dhe ftoi investitorët italianë të investojnë në Kosovë.

Gjatë komunikimeve të përfaqësuesve kosovarë dhe përfaqësuesve italianë është akorduar për një organizimin e një vizite në Kosovë të afaristëve dhe përfaqësuesve institucional nga ky regjion, për të promovuar "Ditën e investitorëve italianë", që pritet të mbahet në Prishtinë gjatë muajit maj të këtij viti. Vizita është organizuar nga Oda Industriale e Regjionit të Fermos.