Telegrafi

Italia, vendi i fundit evropian që urdhëroi mbylljen gjatë Krishtlindjeve

Italia ka urdhëruar një bllokim mbarëkombëtar për pjesën më të madhe të periudhës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, në një përpjekje për të luftuar rritjen e rasteve nga coronavirusi.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, vendi do të jetë nën kufizimet e “zonës së kuqe”gjatë festave publike, pasi dyqanet jo-thelbësore, restorantet dhe baret do të mbyllen; banorët do të lejohen të udhëtojnë vetëm për punë, për arsye shëndetësore dhe urgjente.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte tha se ky nuk ishte “një vendim i lehtë”.

“Ekspertët tanë ishin seriozisht të shqetësuar se do të kishte ‘kërcim’ në rastet gjatë Krishtlindjeve, prandaj kishim nevojë të vepronim”, tha ai.

Italia ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve nga COVID-19 në Evropë, me afër 68,000 viktima.

Kufizimet e “zonës së kuqe” do të jenë në fuqi në të gjithë Italinë nga data 24 deri më 27 dhjetor, më 31 dhjetor deri në 3 janar dhe 5 deri në 6 janar.

Gjatë kësaj periudhe njerëzit “mund të largohen nga shtëpia vetëm për arsye pune, nevoje dhe shëndeti”, tha Conte.

Por, shtoi ai, rregullat do të lejojnë që njerëzit të pranojnë një maksimum prej dy mysafirësh, duke mos përfshirë njerëz nën moshën 14 vjeç, në shtëpitë e tyre. Një shtetrrethim nga ora 22:00 deri në 05:00 do të qëndrojë në vend. /Telegrafi/