Telegrafi

Italia do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ndërshtetëror në fushën e arsimit.

Ata me këtë rast theksuan faktin, se arsimi cilësor krijon premisa të zhvillimit në sektorë të tjerë, veçanërisht në Kosovë, ku ka një numër të madh të të rinjve të gatshëm për tregun e punës.

Ministri Bytyqi e ka njoftuar ambasadorin Sardi me zhvillimet në arsim, si dhe me punën që është duke u bërë në përmirësimin e kualitetit në mësimdhënie dhe mësimnxënie, si dhe krijimin e kushteve për punësimin e të rinjve.

Ndërsa, ambasadori i Italisë, Piero Cristoforo Sardi, tha se arsimi dhe teknologjia janë shtyllat kryesore nga të cilat varet zhvillimi i një vendi, ndërkaq u zotua se Kosova do të vazhdojë të ketë përkrahjen e Italisë edhe në të ardhmen./Telegrafi/