Telegrafi

Italia shpall gjendjen e emergjencës për emigrantët

Qeveria italiane ka shpallur gjendjen e emergjencës të martën për të përballuar “rritje të mprehtë” të emigrantëve që përpiqen të kalojnë Mesdheun.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kjo do të zgjasë për rreth gjashtë muaj dhe do të sigurojë 5 milionë euro (rreth 5.45 milionë dollarë) për rajonet që kanë të bëjnë me krizën në jug të Italisë.

Paratë supozohet të financojnë ngritjen e qendrave të reja të pritjes për emigrantët, ndërkohë që shpallja e emergjencës duhet ta bëjë më të lehtë për qeverinë e krahut të djathtë të Giorgia Melonit riatdhesimin më të shpejtë të atyre që nuk lejohen të qëndrojnë në Itali.

“Të jemi të qartë, ne nuk po e zgjidhim problemin, zgjidhja mund të varet vetëm nga ndërhyrja e përgjegjshme e Bashkimit Evropian”, ka thënë ministri i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci.

Ndryshe, më shumë se 31,000 emigrantë kanë mbërritur në Itali deri më tani këtë vit, tregojnë të dhënat e ministrisë së brendshme, nga rreth 7,900 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /Telegrafi/