Italia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në pesë rajone veriore që rrethojnë lumin PO mes thatësirës më të madhe në 70 vjet.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Emilia-Romagna, Friuli Venezia Giulia, Lombardia, Piemonte dhe Veneto do të marrin 36.5 milionë euro fonde emergjente për të trajtuar mungesën e ujit.
Thatësira kërcënon më shumë se 30 për qind të prodhimit bujqësor të Italisë, sipas sindikatës bujqësore Coldiretti.
Disa komuna tashmë kanë shpallur problemin me racionimin e ujit.
Moti i pazakontë i nxehtë dhe reshjet e pakta gjatë dimrit dhe pranverës kanë shtuar mungesën e ujit në veri të Italisë.
“Gjendja e jashtëzakonshme synon të menaxhojë situatën aktuale me mjete dhe kompetenca të jashtëzakonshme”, tha qeveria italiane.
Në deklaratë thuhej se vendi mund të marrë masa të mëtejshme nëse situata nuk përmirësohet.
Po është lumi më i gjatë i Italisë, që rrjedh drejt lindjes për më shumë se 650 kilometra.
Fermerët në Luginën Po thonë se uji i kripur i detit po depërton tani në lumë, duke shkatërruar të korrat.
Kryeministri Mario Draghi vizitoi të hënën vargmalin Dolomites ku 13 persona janë zhdukur pas shembjes së një akullnaje. Ai tha se fatkeqësia ishte “pa dyshim” e lidhur me ngrohjen globale.
Të paktën shtatë persona vdiqën dhe tetë u lënduan në malin Marmolada, në një ortek të shkaktuar nga shembja e akullnajës. /Telegrafi/