Site icon Telegrafi

​Italia në protesta të dhunshme anti-COVID, me ‘shaman’ në stil konspiracionist

Një shaman në dukje i grupit konspiracionist amerikan QAnon, iu bashkua dje protestës së dhunshme të pronarëve të restoranteve në kryeqytetin italian Romë.

Imituesi i veshur me pellush e brirë në kokë, dhe fytyrë të lyer me ngjyrat e flamurit italian, dukej qartë që ishte një referencë e “shamanit” amerikan Jacob Chansley, që u bë i famshëm në protestat vrasëse në Kongresin amerikan më 6 janar.

Chansley është aktualisht në paraburgim në pritje të gjyqit. Ndërsa versioni i tij italian iu bashkua protestës së pronarëve të bizneseve të vogla, që janë mbyllur prej javësh nga masat e koronavirusit, të cilët u përleshën me policinë jashtë parlamentit në Romë.

Protesta u zhvilluan gjithashtu në jug të Italisë ku demonstruesit bllokuan një prej autostradave kryesore.

Një polic u plagos në protestat e Romës, sipas agjencisë vendase LaPresse ndërsa të paktën shtatë protestues u arrestuan, njoftonte RAI.

Turma e disa qindra protestuesve thërriste “Punë!” e “Liri”, lëshonin fishekzjarrë dhe qëllonin me objekte të tjera.

Ndërkohë qeveria italiane ka dhënë miliona euro në ndihma për kategoritë më të prekura nga pandemia.

Disa orë më herët një protestë ne Caserta, kishte bllokuar autostradën A1.

Mes qindra demonstruesve ishin pronarë dyqanesh, palestrash e restorantesh, njoftonte agjencia italiane LaPresse.

Exit mobile version