Ambasadori i Italisë në Kosovë, Pierro Cristoforo Sardi, tha me rastin e festës kombëtare të vendit të tij, se Roma zyrtare mbështet integrimin evropian të Kosovës, ndërsa e quajti esencial dialogun në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Italisë në vendin tonë morën pjesë zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit dhe mysafirë të shumtë të ftuar.
Diplomati italian theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën kanë perspektivë evropiane, e cila është riafirmuar në Samitin e Sofjes para dy javësh.
“Kosova doli me sukses nga rruga e gjatë për pavarësi. Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe deri në arritjen e pavarësisë , shumë rezultate janë arritur deri më tash në kuadër të stabilizimit politik, zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin institucional. Niveli i angazhimit, përkushtimi, vendosmëria e institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile dhe qytetarët kanë bërë përpjekje për arritjen e këtyre qëllimeve dhe vazhdojnë të kompletojnë linjën sipas standardeve të BE-së dhe arritjen e qëllimeve euroatlantike. Kosova arriti lirinë dhe pavarësinë, por ende duhet të implementohet lufta kundër papunësisë, puna në shërbimet lokale, arsimin, lirinë e lëvizjes, sundimin e ligjit dhe një administratë më efikase. Si mik i Kosovës, Italia mbështet integrimin e plotë evropian dhe inkurajon Kosovën të vazhdojë tutje me vendosmëri në përkushtimet dhe obligimet e saja”, ka thënë Sardi.
Dialogu me Serbinë i cili pritet të vazhdojë në fund të qershorit ose në fillim të korrikut, sipas ambasadorit italian është esencial për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në rrugëtimin drejt Evropës, ndërsa shprehu besimin se liberalizimi i vizave do të ndodhë së shpejti pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. /KP/