Telegrafi

Italia me masa të rrepta edhe për festat e fundvitit

Italia do të ndalojë udhëtimet mes rajoneve brenda vendit nga 21 dhjetori deri më 6 janar si pjesë e masave të rrepta të coronavirusit gjatë Krishtlindjeve.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, vendi gjithashtu do të implementojë një shtetrrethim nga ora 22:00 deri në 5 të mëngjesit.

Restorantet mund të hapen në disa rajone deri në orën 18:00, por vetëm dërgesat lejohen në pjesë të tjera të vendit. Strukturat e skijimit duhet të mbyllen deri më 7 janar.

Vendimi vjen derisa Italia raportoi numrin më të lartë të viktimave nga coronavirusi që nga fillimi i pandemisë, duke regjistruar 993 fatalitete brenda një dite.

“Ne duhet ta eliminojmë rrezikun e një vale të tretë e cila mund të arrijë në janar dhe jo më pak serioze se e para ose dhe e dyta”, tha kryeministri italian, Giuseppe Conte.

Në mesin e këtyre masave thuhet se do të ketë përjashtime të udhëtimit për punë; arsye mjekësore ose emergjente. /Telegrafi/