Kjo mund të jetë një mundësi e mirë nëse gjithmonë keni ëndërruar të keni një shtëpi pushimesh dhe kurrë nuk keni arritur të blini një të tillë.
Qeveria italiane ka vendosur të japë në përdorim falas një numër të konsiderueshëm kështjellash dhe vilash historike.
Anekënd vendit janë në total 103 ndërtesa që janë planifikuar t’u jepen personave që paraqesin një projekt të aprovuar mirëmbajtjeje, si mundësi parandalimi ndaj kthimit të tyre në rrënoja dhe rritjen e numrit të vizitorëve.
Kandidatët duhet propozojnë një plan që do të transformojë ndërtesat dhe ambientin përreth në diçka që rrit turizmin në zonë.
Sugjerimet mund të përfshijnë që pjesë të ndërtesës të kthehen në hotele, restorante, dyqane apo vila luksoze.
“The Local” thotë se kjo mund të jetë një mundësi e artë për shumë persona që kanë ide, por jo paratë e duhura për të nisur një aventurë të re, përcjell tvklan.al.
Qeveria italiane shpreson që me anë të këtij plani, të titulluar “Plani Strategjik për Turizmin”, të promovojë zhvillimin e turizmit në zonat jo shumë të frekuentuara aktualisht siç janë Brigjet Amalfi apo Venecia.
“Qëllimi është që ndërtesat private dhe publike, të cilat nuk përdoren aktualisht, të transformohen në ambiente për pelegrinët, alpinistët, turistët dhe çiklistët”, tha Roberto Reggio nga Agjencia e Pasurive Shtetërore.
Në mesin e ndërtesave të ofruara ka edhe shkolla që tashmë nuk përdoren më, kështjella, vila, por edhe kulla mbrojtjeje që kanë pamje nga deti apo mbi fshatra.
Për shembull, afër Romës ju mund të merrni në përdorim Castello di Blera Lacio – një shtëpi e ndërtuar në shekullin XI nga një familje fisnike lokale maje një shkëmbi.
Gjithçka duhet të bëni për të marrë në përdorim një prej banesave të ofruara është të përgatisni një plan të detajuar për transformimin e saj në një destinacion për turistët.
Të gjithë fituesit do të kenë të drejtë ta përdorin ndërtesën për nëntë vite, me të drejtë rinovimi edhe për nëntë vite të tjera.
Atyre që ofrojnë projekte të jashtëzakonshme pasuria do u jepet në përdorim për 50 vite.
Në dy vitet e ardhshme qeveria pritet t’i shtojë këtij projekti edhe 20 ndërtesa të tjera.