Telegrafi

Italia, investitori, donatori dhe partneri kryesor tregtar në Shqipëri

Përveç afërsisë gjeografike, vetëm 60 milje larg me det, dhe miqësisë shumëvjeçare, Shqipërinë e lidhin me Italinë edhe interesa të ngushta ekonomike. Vendi fqinj është investitori dhe donatori kryesor i Shqipërisë, si dhe partneri me të cilin realizohet pjesa dërrmuese e shkëmbimeve tregtare.

Nga të dhënat zyrtare të shoqatave të biznesit rezulton se kompanitë italiane investojnë në Shqipëri rreth 53 milionë dollarë në harkun kohor të një viti. Bëhet fjalë për investime direkte, kryesisht në sektorin tregtar, industrial dhe atë të shërbimeve. Këto e rendisin Italinë në vendin e parë për investimet e huaja në Shqipëri.

Fusha me interes për investitorët nga vendi fqinj janë edhe energjetika, bujqësia, zooteknika dhe pyjet, peshkimi, infrastruktura dhe telekomunikacioni, urbanistika, mjekësia dhe turizmi.

Janë mbi 500 ndërmarrje italiane që operojnë në mënyrë të qëndrueshme në Shqipëri, të përqendruara kryesisht në qytetet e mëdha.

Këto investime janë një burim i rëndësishëm punësimi për qindra njerëz, kryesisht gra dhe vajza. Kjo, duke pasur parasysh se bizneset italiane janë shumë aktive në fushën e prodhimit të tekstileve dhe këpucëve.

Ato importojnë nga Italia lëndën e parë dhe shfrytëzojnë në Shqipëri krahun e lirë të punës.

Në këtë mënyrë, produktet italiane që prodhohen në Shqipëri eksportohen përtej detit, por edhe më gjerë në Evropë. Këto mallra zënë edhe pjesën më të madhe në totalin e eksporteve shqiptare.