Site icon Telegrafi

Italia dhe Spanja fillojnë me vaksinimet kundër coronavirusit

Pothuajse 10 muaj pasi u raportua rasti i parë i coronavirusit në Itali, vendi filloi të dielën vaksinimet e para kundër kësaj sëmundjeje.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, tre punonjës shëndetësorë në spitalin Spallanzani të Romës u vaksinuan pak para orës 07:00 (GMT) me vaksinën e Pfizer-BioNTech, tha në një deklaratë komisioneri për epideminë, Domenico Arcuri.

“Vaksina shkoi shumë mirë dhe ishte një moment historik emocionues”, tha infermierja 29 vjeçare, Claudia Alivernini.

Claudia Alivernini

Përveç Italisë edhe Spanja filloi të dielën vaksinimin kundër coronavirusit me vaksinën e Pfizer-BioNTech, e cila u miratua të hënën nga Komisioni Evropian.

Bëhet e ditur se një e moshuar 96-vjeçare që jeton në një shtëpi kujdesi në Spanjën qendrore është e para që u vaksinua kundër COVID-19.

Vaksina e Pfizer-BioNTech, e cila u vlerësua edhe nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe e Barnave, vlerësohet të jetë rreth 95 për qind efektive, në rast se përdoret me nga dy doza. /Telegrafi/

Exit mobile version