Site icon Telegrafi

Italia ashpërson masat kundër COVID-19

Qeveria italiane të shtunën, më 27 shkurt, njoftoi se ka vendosur kufizime të reja në pesë nga 20 rajonet e vendit, në përpjekje për të frenuar përhapjen e coronavirusit. Ky vendim i autoriteteve italiane vjen në kohën kur shkencëtarët paralajmëruan se variantet e reja të COVID-19, që janë më ngjitës, janë duke u përhapur në këtë shtet.

Italia ka krijuar një sistem të masave përmes kategorizimeve me ngjyra (e bardhë, e verdhë, e portokalltë dhe e kuqe) dhe masat vendosen në përputhje me nivelin e infektimit.

Për herë të parë, që prej janarit, dy rajonet Basilicata dhe Molise janë futur në zonën e kuqe. Kjo do të thotë se kafenetë dhe restorantet do të mbyllen dhe do të ketë kufizim të lëvizjes dhe do të lejohet që të punojnë vetëm dyqanet me gjëra thelbësore.

Ndërkaq, në Lombardi dhe Piedmont dhe Marche po ashtu janë ashpërsuar masat, duke u kategorizuar në zonën portokalli. Në këto dy rajone, qytetarët nuk do të lejohen që të largohen nga qytetet e tyre, përveç në raste emergjente, për punë apo për arsye shëndetësore.

Qeveria tha se masat e reja në këto pesë rajone do të hyjnë në fuqi të hënën. Gjatë kësaj jave, autoritetet shëndetësore italiane kanë njoftuar se ka pasur rritje prej 35 për qind të rasteve të reja, krahasuar me një javë më parë.

“Shumica e shpërthimeve të reja, janë si pasojë e varianteve të reja. Jam i shqetësuar me progresin e epidemisë. Ne duhet të jemi vigjilent dhe duhet të intervenojmë shpejt”, tha këshilltari për shëndetësi në Itali, Gianni Rezza.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Italia është shtet i tetë në botë me numrin më të lartë të rasteve me coronavirus. Sipas të dhënave të këtij universiteti, që prej nisjes së pandemisë, italia ka regjistruar mbi 2.8 milionë raste dhe mbi 97 mijë viktima. /REL/

Exit mobile version