Një ngjarje e rëndë është verifikuar një ditë më parë në komunën Suzzara në provincën e Mantovës. Një shqiptar 48 vjeç ka plagosur me thikë bashkëshorten e tij 37 vjeçe me të cilën ishte në proces divorci.
Ngjarja ka ndodhur në parkingun e një qendre tregtare në prani të mjaft dëshmitarëve të rastit. Gruaja është qëlluar disa herë me thikë në trup dhe aktualisht ndodhet e shtruar në spitalin e qytetit në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
48-vjeçari shqiptar me profesionin kasap është vënë në pranga me akuzën e tentativës së vrasjes. Sipas hetimeve të para, motivi i këtij krimi është asistenca ekonomike që pas divorcit bashkëshorti duhet të paguante për 3 fëmijët e tyre.
Kanë qenë kalimtarët e rastit që pas thirrjes për ndihmë të gruas kanë mundur ta shpëtojnë nga goditjet me thikë që mund të kishin qenë dhe fatale.
48-vjeçari shqiptar ka tentuar t’i shpëtojë forcave të policisë duke fshehur dhe thikën e krimit, por një patrullë policie me rreth 40 forca kanë rrethuar zonën e pas gati një orë nga ngjarja e kanë vënë në pranga, përcjell Ora News.
Shqiptari ka tentuar dhe të hidhet nga një mur i lartë mbi 2 metra por është bllokuar nga policia. /Telegrafi/