Një ngjarje tragjike ka ndodhur dy ditë më parë në komunën Kupramontana në provincën e Ankonës në Itali.
Një shqiptar nga Maqedonia dyshohet të ketë mbytur djalin e tij 5 vjeç, ndërkohë që nëna e këtij të fundit, shtatzënë, është në gjendje shoku.
Një vogëlush 5 vjeçar, Hamid Imeri, djali i një çifti shqiptar nga Maqedonia është gjetur i vdekur në banesë. Babai i tij Besart Imeri 25 vjeç ka rrëfyer gjatë natës së shkuar vrasjen e djalit të tij.
“E mbyta me duart e mia e nuk di se pse” , ka deklaruar Besart Imeri pasi është marrë në pyetje nga policia Italiane. Në natën e ngjarjes ka qenë vetë Besart Imeri që ka lajmëruar ndihmën e shpejtë mjekësore pasi djali i tij 5 vjeçar nuk merrte frymë mirë, shkruajnë mediet italiane, transmeton Telegrafi.
Kanë rezultuar të pashpresa tentativat e mjekëve për të shpëtuar vogëlushin. Mjeku ligjor ka verifikuar menjëherë shenja në fytin e tij.
Ngjarja është e mbështjellë nga misteri, por hetuesit dyshojnë se fëmija është mbytur fillimisht në makinën e babait. Pastaj trupi është sjellë në shtëpi, nga ku erdhi dhe telefonata që u njoftua policia.
Çifti ishte i martuar e ishin në pritje të fëmijës së tyre të tretë. Nëna shtatzënë e vogëlushit ndodhet e shtruar në spitalin e Jesit në gjendje shoku.
Shtypi italian raporton po ashtu se 25-vjeçari, ishte i papunë dhe se po kurohej për probleme psikiatrike./Telegrafi/