Telegrafi

Itali, prangosen 16 shqiptarë për drogë e prostitucion

Sipas agjencive italiane të lajmeve, arrestimet janë kryer në orët e mëngjesit të së martës nga karabinierët e qytetit të Milanos.

Hetimi mbi këtë bandë kishte nisur në mars të vitit të kaluar dhe gradualisht ishte shtrirë në provincat e Lodit, Torinos dhe Padovës, bëjnë të ditur burimet.

Prostitutat, të gjitha rumune, vendoseshin në zona të ndryshme rrugësh për të tërhequr klientët, ndërsa droga, kryesisht kokainë, shpërndahej në Milano dhe Zvicër.

Më herët gjatë muajit policia italiane ndërmori një operacion analog kundër një bande kriminale shqiptare, e shtrirë në disa rajone të vendit fqinj.

Agjencitë italiane të lajmeve raportuan se, në pranga ranë 14 shtetas shqiptarë dhe një bashkëpunëtori i tyre italian.

Operacioni i koduar me emrin “Flori” u shtri në rajonet e Bazilikatës, Kampanias dhe Emilias dhe në të morën pjesë rreth 200 policë.

Të arrestuarit akuzoheshin për formimin e një organizate aktive në grabitje, shfrytëzim të prostitucionit dhe tentativë vrasjeje. /Telegrafi/