Në një intervistë për Telegrafin, nënkryetari i AAK-së, Ahmeti Isufi, deklaroi se javën e ardhshme pritet të mbahet seanca e konstituimit të Legjislaturës së VI-të të Kosovës.
Isufi tha se kandidati i koalicionit PDK-AAK-NISMA (PAN), Ramush Haradinaj, do të krijojë një qeveri kredibile e serioze, “që garanton udhëheqje të mirë, për ta bërë Kosovën ashtu si duhet”.
Ai po ashtu foli edhe për atë që po quhet si kontrabandimin i deputetëve. Sipas tij, deputeti është i zgjedhur nga qytetarët dhe duhet të lihen të lirë në përcaktimin e tyre.
“Deputeti e ka integritetin e vet që të përcaktohet. Ka pasur shumë raste që deputeti është përcaktuar ndryshe nga ajo që ka dashur partia politike. Le t’i lihet e drejta e lirë deputetit, sepse ai zgjidhet nga qytetari. Pra, ka përcaktim e jo kontrabandim”, ka thënë ai në intervistën me gazetarin Muhamet Hajrullahu.
I pyetur se cilët janë deputetët e partive tjera politike që do ta votojnë formimin e Qeverisë nga koalicioni PAN, Isufi refuzoi të deklarohet.
“Duke u bazuar në të kaluarën, partitë politike mund të ndërrojnë mendje në momentin e fundit për të hyrë në koalicion me PAN-in”, ka thënë ai. /Telegrafi/