Telegrafi

Isufi: Është protestë për Kosovën

Nënkryetari i Aleancës Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka ftuar qytetarët e vendit pa dallime partiake t’i bashkohen protestës së sotme në kundështrim të marrëveshjeve mbi demarkacionin dhe Asociacionin.

Në emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’ të Radio Dukagjinit, Isufi ka deklaruar se edhe pa Vetëvendosjen, protesta do të jetë paqësore dhe masovike.

“Protesta e sotme, nuk është protestë për AAK-në, por për Kosovën. Të mos bashkohesh në një protestë kundër të keqes, do të thotë mohim i të ardhmes tënde”,deklaroi Isufi.

Isufi duke folur më tej, ka siguruar se protesta është paralajmëruar tek organet e rendit dhe të tjera që janë përkatëse dhe se bëhet fjalë për protestë qytetare, dinjitoze e cila do të kalojë pa incidente dhe dhunë. “Kjo është forma më qytetare e një kundërshtimi”, thotë ai.

“Sa herë që vendet janë në rrezik, në rastet kur qeveritë e tyre gabojnë, qytetarët janë ata të cilët korrigjojnë. Andaj edhe protesta e sotme është kjo”,ka përfunduar Ahmet Isufi.

Partitë opozitare AAK dhe Nisma, orën 14:00, kanë ftuar protestë gjithëpopullore në kundërshtim të marrëveshjeve qeveritare, të cilat opozita i quan të dëmshme dhe të rrezikshme për vendin. /Telegrafi/