Telegrafi

Isufi: Donika le të tregojë vetë, pse u largua nga AAK-ja (Video)

Protesta e 26 marsit u shty për shkaqe teknike, por ajo së shpejti do të mbahet dhe se opozita është duke i bërë përgatitjet e fundit. Kështu është shprehur nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.

“Jemi duke i shqyrtuar modalitetet se si të veprohet pas mbajtjes së protestës së radhës, por unë jam i bindur se ato do të shpeshtohen dhe do të jenë më dinamike, me më shumë pjesëmarrje të qytetarëve në to dhe ndoshta me metoda që nuk i kemi provuar deri më tani”, ka thënë Isufi.

“Nuk mund t’i ndalim protestat kundër kësaj Qeverie e cila ka bërë marrëveshje në kundërshtim me interesat e qytetarëve të saj dhe absolutisht nuk tërhiqemi prandaj kërkojmë edhe nga partitë tjera që të jenë në të njëjtat valë në mënyrë që kjo qeveri sa më shpejt të shkojë sepse më nuk i besohet më”, ka deklaruar Isufi në “Kontakt”.

Ai nuk ka dashur të komentojë largimin e bashkëpartiakes së tij nga AAK-ja, Donika Kadaj Bujupi.

“Nuk dua të komentoj fare largimin e saj, sepse e ka bërë pa asnjë paralajmërim dhe është mirë që ajo të dalë para opinionit vetë dhe të tregojë arsyet”, ka thënë Isufi.

Nënkryetari i AAK-së ka komentuar edhe deklaratën e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i cili ka thënë se PDK-ja është e hapur të bashkëpunojë me partinë e Ramush Haradinajt.

“Pa shkuar në zgjedhje nuk do të ketë asnjë bashkëpunim apo kombinim me Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Isufi./Tribuna/