Kur kanë mbetur 12 orë deri në përmbylljen afatit për regjistrimin e koalicioneve në KQZ, deri më tash asnjë parti nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Siç e dimë deri tash janë arritur vetëm dy koalicione ai në mes të AAK-së dhe PSD-së si dhe koalicioni tjetër NISMA-AKR.
Ahmet Isufi nga AAK ka deklaruar për Telegrafin se regjistrimin e koalicionit do ta bëjnë në afatin e rregullt.
“Jemi duke e përgatitur dhe në afatin e rregullt do ta dorëzojmë”, ka thënë Isufi.
Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga zyrtarët e koalicionit NISMA-AKR, se kur do ta bëjnë dorëzimin e koalicionit në KQZ, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme qendrore pritet të hapet më 25 shtator dhe të zgjasë deri më 4 tetor, ndërsa dita e votimit do të jetë më 6 tetor. /Telegrafi/