Site icon Telegrafi

Istrefi: S’ka kushte për privatizimin e Telekomit, do t’i ulim pagat

Gjendja e vështirë financiare si dhe numri i të punësuarve ka bërë që faza e privatizimit të Telekomit të Kosovës të shihet me dyshime, pa një ristrukturim fillestar të kësaj ndërmarrjeje.

Ky proces i nisur në tetor të vitit të kaluar nuk pritet të përfundojë brenda 6 muajsh, e gjithë kjo pasi ende nuk ka përfunduar faza përmbyllëse e përzgjedhjes së kompanisë e cila do ta bëjë ristrukturimin e Telekomit.

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, thotë se në gjendjen të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës, nuk mund të flitet për privatizim, pa u krijuar një qëndrueshmëri brenda kësaj ndërmarrje.

“Telekomi së pari ka nevojë të krijon një qëndrueshmëri brenda për brenda, një stabilitet financiar dhe pastaj të mendojmë të shkojmë me procesin e privatizimit, ku pas kësaj mundet të përfitojë edhe vet shteti por edhe Telekomit i jepet një vlerësim i merituar. Në gjendjen të cilën gjendet Telekomi momentalisht, ka nevojë për përkrahje institucionale dhe ka nevojë të mbështeten idetë dhe projektet që e krijojnë një qëndrueshmëri brenda Telekomit dhe jo të shkojmë në fazën e privatizimit, pasi që në fazën që jemi është e pamundshme të i jepet një vlerësim i merituar Telekomit”, tha Istrefi, në një intervistë për Ekonomia Online.

Istrefi i cili udhëheq me Telekomin e Kosovës qe 8 muaj, thotë se gjendja financiare në këtë ndërmarrje nuk është aspak e mirë dhe se ata nuk kanë kapacitete të mjaftueshme t’i mbulojnë shpenzimet për mirëmbajtje të sistemit, gjendje kjo e cila e detyron Telekomin e Kosovës të ulë pagat e punëtorëve përkohësisht.

“Në situatën të cilën ndodhemi sot unë kam kërkua mbështetje institucionale, asnjëherë nuk kam dashtë të vij deri tek një moment ku do të bëj ndonjë propozim për ndonjë ulje të pagave dhe në këtë situatë politike është e pamundshme të merren vendime dhe të krijohen mundësi të na ndihmojnë në procesin të cilin jemi, unë bashkërisht me stafin do ti sakrifikojmë pagat tona dhe nuk do të lejojmë që Telekomi të vie në një situatë për shkak të një investimi që e ka një vlerë 6.9 milionë euro ku përfshihen 3 projekte ku përmes këtyre unë kam garantuar përmes institucioneve tona në takimet tona që marr garanci për këto 3 projekte të cilat garantojnë një stabilitet brenda Telekomit të Kosovës. Ka mbi 3 vite e gjysmë që Telekomi i Kosovës nuk ka ndonjë projekt për procesin e mirëmbajtjes së sistemeve”.

“Në situatën në të cilën gjendemi, fatkeqësisht nuk kemi mjete të mjaftueshme financiare që të arrijmë të i mbulojmë vetë, jemi të obliguar që bashkërisht në situatën që jemi përkohësisht të bëjmë një ulje të pagave deri në përmbylljen e këtij obligimi financiar ndaj këtij operatori ekonomik që këto projekte të implemetohen sa më parë dhe të krijohet qëndrueshmëria brenda Telekomit”, tha Istrefi.

Istrefi shton se konsumatorët e Vala’s, nuk janë të kënaqur me shërbimet e ndërmarrjes së Telekomit, e gjithë kjo për shkak të degradimeve në shërbime.

Madje ai shton se me ndaljen e dhënies së sponsorizimeve dhe donacioneve për shumë portale të caktuara dhe individë të ndryshëm, Telekomi i Kosovës në krye me Bedri Istrefin, ka arritur të shpëtojë miliona euro vetëm në 6 mujorin e fundit.

Sipas Istrefit me tentimet për privatizim të Telekomit të Kosovës, brenda kësaj ndërmarrjeje janë ndalë të gjitha investimet kapitale, gjë që e ka shpjer Telekomin e Kosovës në një situatë mjaftë të rëndë dhe ka krijuar pamundësi  në investime teknike.

“Ka pas disa tentime që të privatizohet Telekomi i Kosovës disa herë, në momentin kur kanë marrë vendime që të shkohet në proces të privatizimit janë ndalë edhe të gjitha investimet kapitale. Kjo e ka krijuar një situatë të rëndë për shkak që nuk kemi mundur t’i përcjellim tregjet dhe avancimet e teknologjisë informative dhe si pasojë e mosinvestimeve teknike ku kemi pasë mundësi përmes atyre investimeve të krijojmë produkte të reja”.

Istrefi shprehet se ai në asnjë rrethanë nuk do ta lejojë falimentimin e Telekomit të Kosovës.

“Shumë shpejtë do të fillojmë implementimin e mirëmbajtjes dhe ‘country codit’ dhe në momentin kur fillon ky implementim, atëherë Telekomi i Kosovës nuk do të ketë ndonjë krizë ku mundet me ardhë një situatë deri te falimentimi. Nuk do të bëhet llaf për falimentim, nuk do ta lejojë në asnjë formë e rrethanë sa unë jam këtu me këtë staf që të vie deri tek një falimentim i mundshëm”, tha ai.

Istrefi thotë se Telekomi i Kosovës, përveç përkrahjes morale, nuk ka pasur ndonjë përkrahje financiare institucionale, madje shprehet se institucionet kësaj ndërmarrje i kanë miliona euro borxh, por që organet e drejtësisë nuk kanë qenë aq efektive sa i përket këtyre proceseve.

“Na kanë obligim jashtëzakonisht financiar disa operatorë dhe institucione, 11.6 milionë te banka kreditore kur ka bankrotua dhe ne kemi pas mjete aty. Janë 13.5 milionë euro, obligime dhe borxhe të konsumatorëve qofshin ata institucionalë, biznesorë apo individualë, kështu që të përdoret pak edhe mekanizmi ligjor dhe shtetëror, gjykatat të jenë më efektive që ky borxh të nxirret sa më shpejtë dhe të futet në llogarinë e Telekomit që përmes këtyre ne arrijmë të krijojmë investime nga pjesa teknike por edhe e marketingut. Situatat të cilat janë politike nuk janë në favor të Telekomit dhe si të tillë jemi duke u ballafaqua me probleme pak më të mëdha se sa që i kemi planifikua. Përpos përkrahjes morale nuk kemi pas ndonjë përkrahje e cila është vërejt në kuptimin e asaj që sot në Telekom kishim mundur me bisedua se ku është faza përmbyllëse e implementimit të një projekti”, tha Istrefi.

Në vitin 2013, Telekomi i Kosovës i ishte nënshtruar procesit të privatizimit dhe kishte dështuar.

Pavarësisht gjendjes së vështirë financiare, Telekomi ishte detyruar që në periudhën 2010-2015 të ndajë dividendë për Qeverinë e Kosovës në shumë prej 250 milionë eurove.

Exit mobile version