Drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka thënë se ka dhënë garancion edhe te Kryeministri për rimëkëmbje në Telekom nëse zbatohen tri projektet e tij.
Istrefi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se ka garantuar se nëse zbatohen këto tri projekte do të ketë sukses Telekomi në rimëkëmbje, përcjell Telegrafi.
“E para ka qenë ristrukturimi. Ka pozitë të njëjtë që e mbajnë tre persona. Sot korporata është ende e pa ristrukturuar. Pika e dytë: kam kërkuar garancion bankar nga institucionet tona. Më këtë garancion do të kërkojë mbështetje teknike që të krijojë produkte të reja atraktive për konsumatorët… Nuk kam pasur përkrahje nga institucionet pos mbështetjes morale. Kërkesa e tretë: e kam thënë publikisht që shumë institucione na kanë borxh. Ky borxh arrin diku 22 milionë euro, 11.6 milionë na ka borxh Banka Kreditore. Kjo bankë ka falimentuar, por ka lënë asete. Kam kërkuar nga institucionet që të mos ketë ndërhyrje në vendime gjyqësore. Vendime ka pasur në favor tonin por ekzekutim nuk ka pasur”.
Drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës ka thënë se tashmë me ndërprerjen e disa kontratave për marketing janë kursyer 500 mijë euro.
Ai ka thënë se Telekomi ka rrjet të mirë, por kanë munguar shërbimet cilësore.
Istrefi ka thënë se në përgjithësi tregu i telefonisë në Kosovë është kaotik ku operatorët kryesorë operojnë me humbje.
Drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës ka tërhequr vërejtjen edhe për mungesën e kontratave të mirëmbajtjes e që sipas tij një pjesë e pajisjeve janë në “fund të jetës”./Telegrafi/