Telegrafi

Istogu edhe sivjet do të bëjë ndërtimin e shtëpive për familje të pastrehë

Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ministrin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenie Sociale Arban Abrashi, për realizmin e projektit për ndërtimin e shtëpive për familje të pastrehë.

Ai tha se komuna për vite me radhë ka bërë ndërtimin e shtëpive për familje të pastrehë dhe rasteve sociale por kësaj radhe do ta ketë edhe mbështetjen e Ministrisë , ku komuna do të participoj me 75 mijë euro dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me 20 mijë euro.

“Konsideroj që me këtë shumë do të ndërtojmë së paku 8 shtëpi mirëpo ne do ti përkrahin këto familje edhe me material ndërtimor siç kemi bërë vite me radhë”, theksoi Rugova.

Ndërsa ministri Arban Abrashi, falënderoi kryetarin Rugova i cili ka marrë iniciativë dhe ka ndarë fonde për ndërtimin e shtëpive dhe në këtë mënyrë ka ndihmuar edhe qeverinë përmes projekteve të bashkëfinancimit.

“Këtë mision fisnik në formë bashkëpunimi, ne nënshkruam sot një marrëveshje që nënkupton bashkimin e fondeve të ministrisë dhe komunës. Ky projekt do të ndihmoj në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të komunës së Istogut”, u shpreh Abrashi.
Deri më tash komuna e Istogut ka ndërtuar 37 shtëpi për familjet në nevojë, ku 2 nga to janë ndërtuar me donacione ndërsa të tjerat janë investim i Komunës së Istogut. /Telegrafi/