Site icon Telegrafi

Isni Kilaj: Qytetarë të Drenasit, mos e bëni gabimin që e bënë qytetarët e Malishevës

Kryetari i degës së PDK-së në Malishevë, Isni Kilaj, ka reaguar ndaj deputetit të Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, i cili dje përmes një statusi iu drejtua kandidatit të PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovcit.

Kilaj ia ka numëruar me radhë dështimet e Nismës në komunën e Malishevës dhe ka thënë se qytetarët e Malishevës mezi po presin t’ua japin ndëshkimin me votën e tyre në zgjedhjet e radhës.

Ky është statusi i plotë i kryetarit të PDK-së në Malishevë, Isni Kilaj:

Për përfaqësuesit aspak të nderuar të Nismës për Kosovën,

Secili qytetar i komunës së Malishevës ndjen neveri kur lexon pallavrat tuaja mediale, që i bëni në kurriz të qytetarëve tanë, të cilët mezi po presin t’ua japin ndëshkimin me votën e tyre në zgjedhjet e radhës.

Komunën e Malishevës e keni katandisur si mos më keq.

Qeverisjen në komunën e Malishevës e keni ndërtuar mbi nepotizëm dhe me njerëz të dështuar dhe për qytetarët është tërësisht jofunksionale.

Sot qytetarët e kësaj komune udhëhiqen prej një kryetari me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe me dhjetëra akuza për veprime të kundërligjshme.

Udhëhiqen prej një kryetari, i cili e ka dëmtuar buxhetin e komunës me mbi 200 mijë euro gjobitje vetëm për mosrespektim të vendimeve të gjykatave.

Me qeverisjen e Nismës në Malishevë, militantët tuaj ju i keni bërë profesorë, kurse profesorët i keni lënë në rrugë.

Për shkak të parregullsive, mbi 30 drejtorë, profesorë e punëtorë të tjerë të arsimit u janë kthyer dhunshëm nëpër shkolla.

Për të mos u mjaftuar me kaq, ju madje e keni vendosur militantin tuaj edhe me precedan penal si Drejtor të Gjimnazit.

Me qeverisjen tuaj e keni izoluar tërësisht komunën e Malishevës.

Asnjë projekt i madh nga Qeveria e Kosovës ose nga donatorët nuk është realizuar në këtë mandat qeverisës.

Shumicën e projekteve lokale, Komuna e Malishevës i kryen përmes firmave të Haxhi Shalës dhe satelitëve të tyre.

Komuna e Malishevës sot nuk ka as shëndetësi, sepse ju e keni degraduar tërësisht.

Përmes Hendikosit që paguhet nga qeveria komunale, paguhen 20 punëtorë në administratë e arsim.

Ju i keni lënë të rinjtë e Malishevës edhe pa fushë të futbollit, sepse për shkak të moskujdesit tuaj kjo fushë është shkatërruar.

Komuna e Malishevës sot është shembulli më i keq i funksionimit të një komune.

Ju asgjë nuk keni bërë në të mirë të qytetarëve të komunës Malishevës, por komunën e keni shfrytëzuar vetëm për t’i sistemuar militantët tuaj dhe për t’i vjelë të mirat e saj për vete.

Ndonëse ishte i Nismës për Kosovën, për shkak të dallavareve me konkurse dhe ndikimit që kanë ushtruar njerëzit tuaj, ka dhënë dorëheqje edhe drejtori i QKMF-së në Malishevë.

Komuna e Malishevës thjesht nuk ka as kryetar, sepse ky i fundit është tërësisht i dirigjuar prej distance nga Fatmir Limaj.

Komuna e Malishevës për kryetar e ka vetëm një marionetë politike, pa fuqi vendimmarrëse.

Ju e keni izoluar tërësisht komunën e Malishevës, ashtu siç jeni të izoluar edhe vetë si subjekt politik.

Ju të dashur qytetarë të Drenasit,

Mos e bëni gabimin që e bënë qytetarët e Malishevës.

Mos e izoloni veten dhe komunën tuaj!

Exit mobile version