Site icon Telegrafi

Paraqitja e parë e Isni Kilajt në Hagë, hetohet për ‘pengim të personave zyrtarë’ dhe ‘shkelje e fshehtësisë së procedurës’

Ish-kryetari i Malishevës Isni Kilajt pas arrestimit dhe dërgimit të tij në Gjykatën Speciale, sot është paraqitur për herë të parë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gjykatësi i Gjykatës Speciale tha se ekziston dyshim i bazuar ndaj Isni Kilajt për veprat penale ‘Pengim i personave zyrtarë për kryerjen e detyrave zyrtare’, dhe  ‘shkelja e fshehtësisë së procedurës”.

“Më 2 nëntor 2028 Prokurori i Specializuar lëshoi fletarrestim për Isni Kilaj. Ekziston dyshim i bazuar për vepra penale, ‘pengim i personave zyrtare për kryerjen e detyrave zyrtare’, dhe ‘shkelja e fshehtësisë së procedurës’. Kilaj u transferua në objektin e Hagës më 03.11.2023. Seanca e sotme nuk është seancë gjyqësore, pasi ende nuk është dorëzuar aktakuza nga prokurori i Specializuar. Sot duhet të sigurohem se i dyshuari është i informuar për arrestimin e tij, dhe arsyet se pse po mbahet në paraburgim. Gjithashtu përfshihet këtu dhe e drejta e tij që të marr avokat”, tha gjykatësi i Gjykatës Speciale, përcjell Telegrafi.

Gjykatësi e pyeti Kilajn nëse ka marr fletarrestimin dhe ai konfirmoi se po.

Ndërsa, prokurori i rastit, Mat Holling tregoi se gjatë bastisjes në shtëpinë e Kilajt janë gjetur materiale që ndërlidhen me veprën penale “shkelja e fshehtësisë së procedurës”.

“Gjatë bastisjes janë gjetur materiale…Duke pasur informacion të tillë shkelja e fshehtësisë së procedurës, nënkuptojmë që ky material do të përdoret për pengim gjyqësorë”, ka thënë Holling.

Prokurori Holling kërkoi që Kilaj të mbahet në paraburgim në mënyrë që të mos pengohen apo frikësohen dëshmitarët.

“Kilaj duhet të mbahet i ndaluar se është marrë pikërisht me këto lloj sjellje, pra një sjellje penguese bazuar në materialet që i janë gjetur. Frikësimit të dëshmitarëve. Se kjo klimë ekziston konfirmohet dhe nga shpallja fajtor të Gucatit dhe Haradinaj”, tha Holling.

Ndërsa avokati i Kilajt, Brien Edwards tha se: “me lejen tuaj do të kërkoj që të mos jepni vendim pa marr parashtrimin tonë. E ato do të jenë më të hollësishme që do t’i them para jush. Për disa parashtrime duhet të kaloj në seancë privat, siç thatë dhe ju s’ka aktakuzë deri më tani” /Telegrafi/

Exit mobile version