Gjykata ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Isni Kilajt për ndryshimin e kushteve të lirimit të tij, që do t’i mundësonte të udhëtonte drejt Shqipërisë për një periudhë të shkurtër.
Vendimi u mor nga gjykatësja Marjorie Masselot, e cila theksoi se “ndryshimet e propozuara nuk do të adresonin rreziqet ekzistuese të përcaktuara me ligj”.
Sipas vendimit, mbrojtja kërkoi që Kilaj të udhëtonte për tetë ditë së bashku me gruan e tij, duke argumentuar se ai ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të procedurave pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe kishte nevojë për pushim.
Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) hodhi poshtë këtë argument, duke deklaruar se “stresi i përjetuar nga Kilaj nuk përbën asnjë arsye humanitare bindëse për të justifikuar një ndryshim të kushteve të lirimit”.
Pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave, gjykatësja vendosi që të hedhë poshtë kërkesën.
Në korrik, ZPS-ja kishte njoftuar se kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar kundër Kilajt, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por detajet e kësaj aktakuze ende nuk janë bërë publike.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo që përfshihet në akte të tilla, përfshirë frikësimin e dëshmitarëve apo ofrimin e mbështetjes financiare për këto vepra”, thuhej në njoftimin e ZPS-së.
Isni Kilaj, i arrestuar në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për pengim të drejtësisë, u lirua me kushte të rrepta në maj, por vazhdon të mbetet i dyshuar për vepra penale që lidhen me pengimin e zyrtarëve në kryerjen e detyrave të tyre dhe shkeljen e sekretit të procedurave./Telegrafi/