Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi është ndarë i kënaqur me paraqitjen e ekipit dhe lojtarëve të tij, edhe pse humbën në derbi nga Drita.
Ballkani u mposht me rezultat të ngushtë 2-1 në ndeshjen e tyre në udhëtim te Drita në kuadër të javës së 16-të në Superligën e Kosovës.
Golat në këtë ndeshje u shënuan nga Kastriot Rexha (31’, 45’) për vendasit dhe Mirlind Daku (44’) për mysafirët.
Pas humbjes ka folur trajneri i Ballkanit, Munishi, i cili tha se ishte i kënaqur me lojën, por edhe me referimin.
“Në përgjithësi ishte paraqitje ishte e mirë. E kënaqshme. Heq dy episodet, aty ku kemi stërvitur më së shumti. Mund të them se ishte më shumë pakujdesi, por edhe zotësi e Kastriot Rexhës”, ka thënë fillimisht Munishi pas ndeshjes.
“Jam i kënaqur me lojtarët dhe duhet të vazhdojmë tutje. Këto janë ndeshje derbi, nuk mund të themi se diçka nuk shkoj”.
“Në përgjithësi jam i kënaqur me lojën, paraqitjen dhe angazhimin e lojtarëve. Edhe me referimin jam plotësisht i kënaqur”, përfundoi trajneri i Ballkanit. /Telegrafi/