Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka mbyll asnjë maternitet nëpër komunat e Kosovës.
Kjo deklaratë erdhi pas pyetjes së bërë nga deputetja e PSD-së, Besa Baftiu e cila ngriti shqetësimin e saj, se gratë shtatzëna nuk kanë një maternitet afër vendbanimeve të tyre.
Ndërkaq, sipas ministrit Ismajli, mbylljen e disa materniteteve nëpër qytetet e Kosovës e kanë bërë vet komunat, raporton Telegrafi.
“Ministria e Shëndetësisë nuk ka mbyll asnjëherë maternitet. Kjo ka ndodhur nga komunat për arsye se nuk kanë kosto efektive. Kjo është një çështje që po tentojmë ta adresojmë. Komunat i kanë mbyllur vet maternitet për të cilat kanë menduar që nuk iu nevojiten. Jemi duke bërë një plan strategjik në lidhje me këtë”, ka thënë ai.
Ismajli po ashtu tha se duhet bërë presion edhe tek kryetarët e komunave që të sigurojnë buxhet për mirëmbajtjen e materniteteve, por edhe si qendër këshillimore për gratë shtatzënë. /Telegrafi/