Telegrafi

Ismajli: 63-vjeçari i ndjerë nga Gjilani, pos coronavirusit nuk kishte sëmundje të rënda

Në Komunën e Gjilanit sot është regjistruar një vdekje që ishte i prekur nga coronavirus dhe 12 raste të reja të infektimeve me COVID-19.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli thotë për RTV Dukagjinin se i ndjeri nuk ka pasur sëmundje tjera shoqëruese pos disa shqetësimeve me sëmundjen e sheqerit.

“Në bazë të informacioneve që kam marrë nga familja e të ndjerit dhe ekipeve shëndetësor, i ndjeri nuk ka pasur sëmundje tjera më të rënda por shqetësimeve me sëmundjen e sheqerit. Gjendja e tij është përkeqësuar ditëve të fundit dhe si pasoj e këtij përkeqësimi ai sot ka ndërruar jetë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ismajli thotë se nga 12 infektimet e reja, 8 janë raste kontakti ndërsa për katër të tjerë nuk dihet burimi i infeksionit.

“Sot kemi edhe 16 të shëruar nga Komuna e Gjilanit dhe në mesin e tyre është edhe një zyrtarë komunal”.

Nënkryetari i Gjilanit thotë se nga kjo komunë rezulton i infektuar vetëm një mjek  e që për fat të mirë ka qenë në pushim vjetorë.

“Nga fillimi i pandemisë Gjilani ka 182 të infektuar, 129 prej tyre tashmë janë shëruar 49 raste aktive dhe katër të vdekur”, deklaroi më tej Arbër Ismajli./Telegrafi/