Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, është shprehur i pakënaqur me nivelin e shërbimit shëndetësor që ofron stafi i këtij sektori.
Sipas tij, në kohën kur ai e ka pranuar postin e ministrit të Shëndetësisë ky dikaster veçse ka qenë i stagnuar sa i përket shërbimeve ndaj pacientëve.
”Si ministër i Shëndetësisë nuk jam i kënaqur me nivelin shëndetësor që ofrojmë. Kosova ka stagnuar sa i përket shërbimeve shëndetësore, por kjo na bën të vetëdijshëm të ndryshojmë e të ecim përpara”, tha Ismaili, duke komentuar gjendjen e sistemit shëndetësor në Kosovë.
Ismaili në Klan Kosova ka potencuar se rasti i vdekjeve të dyshimta në QKUK nuk do të mbetet pa u zbardhur.
Ai ka thënë se policia e shtetit është marrë me këtë çështje dhe përgjegjësia nuk do të mbetet në ajër.
”Kur kam ardhur në detyrën e ministrit ka qenë situatë konfuze, por kam formuar komisionet e duhura që të riorganizohen e të merren me rastin”.
”Shteti është marrë me këtë punë. Sigurisht që do të gjendet autori dhe përgjegjësia nuk do të mbetet në ajër. Vozitës i kësaj çështjeje është Prokuroria e Shtetit”.
”Kushdo që është, pa marrë parasysh njeriun, emrin mbiemrin – do të marrin atë që meritojnë”.
”Sektori ka potencial, kemi popullatë të re që kërkesat e për shërbim shëndetësor i kemi më të ulëta”, ka përfunduar ai, transmeton Klan Kosova.