Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka thënë se sistemi shëndetësorë duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga monopolet dhe keqpërdorimet që pasurojnë oligarkët dhe varfërojnë qytetarët.
Ismaili përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve nuk mund të rrezikohet për shkak të interesave financiare të askujt.
“Për këtë arsye, hapi i radhës në ndalimin e zhvatjes në emër të shëndetit do të ishte vendosja e tavanit të çmimit për testime në laboratorët private”, ka shkruar Ismaili.
Postimi i plotë:
Shëndetësia duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga monopolet dhe keqpërdorimet që pasurojnë oligarkët dhe varfërojnë qytetarët. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe e xhepit të tyre duhet të jetë parimi kryesor i të gjitha politikave shëndetësore.
Për këtë arsye, hapi i radhës në ndalimin e zhvatjes në emër të shëndetit do të ishte vendosja e tavanit të çmimit për testime në laboratoret private.
Që nga fillimi i pandemisë e kam kërkuar një gjë shumë të thjeshtë: testimin masiv të popullatës. Fatkeqësisht asnjëra qeveri nuk arriti të bëjë këtë. Licencimi i institucioneve private për testim është hap para në luftimin e pandemisë, por kurrsesi nuk duhet të shihet si zëvendësim i testimit falas të organizuar nga shteti.
Për të mbrojtur qytetarin nga predatorët financiarë, para se të licencoheshin laboratoret private, Qeveria është dashur të vendoste tavanet e çmimeve për të gjitha shërbimet që ndërlidhen me pandeminë.
Nuk duhet të lejojmë asnjë kompani, sado e fuqishme të jetë ajo, të pasurohet padrejtë në kurriz të pacientëve tanë. Shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve nuk mund të rrezikohet për shkak të interesave financiare të askujt. /Telegrafi/