Site icon Telegrafi

Ismaili: Sportistët e lënduar do ta kenë qendrën moderne të trajtimit

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka deklaruar se sportistët e lënduar do ta kenë një qendër moderne dhe nuk do të kenë nevojë të largohen për trajtime jashtë vendit.

Këto komente ministri Ismaili, i cili gjatë vizitës së punimeve në Qendrën e Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim në kuadër të kompleksit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Në këtë kohë kur i shohim sukseset e mëdha të sportit tonë të mos harrojmë se ai talent duhet të përkujdeset dhe ka nevojë për përkujdesje mjekësore. Ka nevojë për një siguri mjekësore po ashtu. Ky është një lajm i mirë për gjithë sportistët tanë për profesionistët shëndetësor që merren me mjekësi sportive që objekti i ri është duke ardhur dhe është duke u realizuar shumë më shpejt. Në mënyrë që të kryejmë këtë shërbim mjekësor për shumë sportist tanë që kanë nevojë të rehabilitohet dhe të marrin shërbimin që iu duhet”, tha ministri Ismaili.

Ministri Ismaili, mes tjerash tha se kjo qendër do të jetë një nga objektet më moderne në institucionet publike shëndetësore.

“Zgjidhja po vjen për sportistët tanë që kur të lëndohet do të kenë një qendër që t’i drejtohen. Ne do të pajisim atë, do të bëjmë mjaft moderne që ata mos të kenë nevojë që largohen për trajtime jashtë vendin por ta kryejnë në Kosovë”, deklaroi ministri Ismaili.

Ndërkaq, drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se në të gjitha këto investime po bëhen në vazhdën e transformimit të sektorit të shëndetësisë në Kosovë dhe se kjo është një ndihmë mjaft e madhe për sportistët dhe pacientët e tjerë.

“Tash është afër përfundimit të punimeve me një vrull më të shtuar, para afatit të përcaktuar në kontratë. Është shumë e mirë që Qendra e Mjekësisë Sportive dhe Klinika e Fiziatrisë do të kenë një objekt modern dhe infrastrukturë moderne me gjitha pajisjet. Është ndihmë mjaft e madhe dhe për sportistët, Klinika e Fiziatrisë njëkohësisht do të shërbej dhe për pacientët e tjerë”, tha ai.

Ndryshe, Qendra e Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim, ka një hapësirë prej 6297 metra katror, 101 shtretër dhe kosto prej 4.8 milionë euro./kp/Telegrafi/

Exit mobile version