Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka prezantuar raportin e punës për vitin 2019 dhe planin e punës për vitin 2020. Sipas këtij raporti ofrimi i shërbimeve mjekësore në këtë vit ka qenë më i mirë dhe në qendër ka pasur pacientin.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismajli edhe sot ka shprehur qëndrimi e tij kundër dërgimit të Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese. Para mjekëve Ismajli tha se do të punojnë që pagat e premtuara t’i marrin punëtorët e sektorit shëndetësor.
“Nuk do të ndalem që të arrijmë atë që e kemi premtuar Video 13’42” “Mos u dëshpëroni edhe unë edhe ju nuk do të ndalemi që ta arrijmë atë që e kemi votuar dhe atë të cilin e kemi premtuar, për të cilën ka para dhe buxhet, dhe për të cilën nuk krijohet asnjë lloj krize nëse mjekët dhe infermierët paguhen. Përkundrazi i jepet impuls sektorit i cili vuan dhe kur vuan sektori, vuan popullata. E di që ka krijuar një lloj demoralizimi tek ju, por ashtu siç iu kam thënë disa herë po iu them edhe tani se çfarë do lloj procedure, loje politike, çka do që bëhet të jeni shumë të vetëdijshëm as unë e as ju nuk do ndaleni derisa të realizohet ajo për të cilën kemi punuar…Është e drejtë e juaja që ato rroga t’i merrni”, tha Ismajli.
E gjatë ditës së djeshme, Avokati i Popullit pas ankesave që ka pranuar e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Paga.
Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu tha se shëndetësia kosovare në këtë vit ka arritur rezultate më te mira se në vitin 2018.
Me qëllim që pacienti të ketë shërbime sa më cilësore Sejdiu tha se është investuar mjaftë shumë edhe në infrastrukturën dhe pajisjet mjekësore për të cilat vetëm këtë vit janë shpenzuar 6 milionë euro.
Sejdiu tutje shtoi se gjatë këtij viti kanë nisur dy projekte nacionale si ajo e trajtimit të infarktit akut dhe së shpejti do finalizohet edhe projekti për intervenimet në tru.
Drejtori i ShSKUK-së deklaroi se do punojnë që në vitin 2020 të sigurojnë shërbime mjekësore që nuk kanë qenë në shërbime te pacientëve deri më tani.