Telegrafi

Ismaili: Protokollet mjekësore hap drejt ngritjes së cilësisë në shëndetësi

Klinika Obstetrike Gjinekologjike e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga sot është bërë me udhërrëfyes  klinik nacional në Kosovë, të aprovuar edhe nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Me rastin e dorëzimit të protokolleve të para mjekësore të miratuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë,  e që do të përdoren në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, tha se nevoja për protokolle klinike mjekësore është njëra nga çështje prioritare në shëndetësi.

Ministri Ismaili, mes tjerash tha se përmes këtyre protokolleve  po bëhet punë e mirë në drejtim të përmirësimit  të  shëndetit të  nënës dhe  fëmijëve.

Ndërkaq, doktoresha Sueda Hoxha tha se protokollet mjekësore janë mundësi e mirë për të shtuar cilësinë.

Sipas saj, janë tre protokolle, e para ka të bënë me skriningun e kancerit të qafës së mitrës, ku përmes tyre do të mundësohet që kjo të diagnostikohet sa më herët tek gratë dhe nënat tona, të cilat në shumë raste lajmërohen në stade të larta.

Me rëndësi të veçantë është edhe protokolli për hemorragji pas lindjes, e poashtu edhe protokolli mjekësore për hipertension tek gratë shtatzëna. /Telegrafi/