Telegrafi

Ismaili: Prej sot shëndetësia do të jetë me sistem elektronik

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, tha se që nga marrja e udhëheqjes së shëndetësisë kosovare është munduar që shëndetësia të dalë në binar.

Ai tha se në sektorin e shëndetësisë janë një mal problemesh, po me një vizion të qartë do të arrihet të ketë rezultate.

“Sot ne do të lansojmë sistemin elektronik në shëndetësi. Në këtë mënyrë kemi mundësuar që të jemi transparent”, tha ministri Ismaili në RTK.

Sipas tij, ky projekt për trajtim jashtë vendit do të jetë një ndihmesë e madhe për pacientë dhe të mos mundohen të vijnë disa herë në ministri.

Ai theksoi se shëndetësia e Kosovës do të ketë rezultate, pasi që Kosova ka kuadro të mira. Sipas tij, pacientët që dorëzojnë dokumentet menjëherë nëse pranohen do të futen në proces dhe do të mund të përcillen edhe nga vet pacienti se ku është procesi.

“Kjo na lehtëson punën, por edhe rrit shumë transparencën, do të mund të shohim shumë lehtë procesin. Do të merr kohë deri sa të fillojë të përdoret, por çdo gjë shkon mirë”, deklaroi ai.

Sipas tij, miliona euro harxhohen për trajtime jashtë vendit. Ai vlerësoi se deri tek këto shpenzime ka ardhur, pasi që nuk kemi menaxhim të mirë dhe nuk kemi pajisje për trajtim .

Edhe për spitale private Ismaili tha se nuk është kundër tyre, por institucionet publike janë  të thirrura për të dhënë shërbime.