Site icon Telegrafi

Ismaili: Nuk pranoj të linçohet Aida Dërguti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Fisnik Ismaili, duke e komentuar veprimin e kolegës së tij nga radhët e VV-së, Aida Dërguti, e cila themeluesin e lëvizjes Albin Kurtin e “m…” gjatë një komunikimi në Viber, ka theksuar se nuk pranon që të tjerët ta linçojnë Dërgutin.

Në profilin e tij në Facebook, Ismaili ka shkruar se Dërguti ka qenë në Lëvizje prej ditëve të para të saj, kur  të tjerët, sipas tij, as nuk kanë dijtë çka është Lëvizja.

“Aida Dërguti ishte Nënkryetare e Lëvizjes, e qe dy mandate edhe Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës. Në këtë pozitë s’ka mbërri sepse dikush e ka vendosë aty, por sepse për vite me radhë është sakrifikue e angazhue për ideal, me përkushtimin më të madh. Aida Dërguti është një grue jashtëzakonisht e guximshme, e cila është dëshmue në radhët e UÇK-së, është dëshmue me angazhimin e saj sa në rrugë, ashtu edhe në institucionin më të naltë shtetnor, është dëshmue si aktiviste e pandalshme për të drejtat e grave, veteranëve, e krejt qesaj shoqnie” (sic.), ka shkruar ai.

Sipas tij, nënkryetarja e VV-së është një prej njerëzve më të rëndësishëm në rrugëtimin e suksesshëm të Lëvizjes deri këtu.

“Prandej Jo. Nuk pranoj, ne asnjë mënyrë nuk pranoj, që dikush me e marrë lirinë me e linçue Aidën për një fjalë goje, pavarësisht se a ia ka thanë Albinit, Rugovës, Obamës, qoftë edhe zotit. Aida ia ka dedikue jetën luftës për mendimin e lirë edhe kundër dhunës! Kur po ju shoh kah shpreheni kështu ju, do aktivistë të Lëvizjes, që iu ka qitë buza tambël kur Aida i kishte mushknitë plot gaz lotsjellës nëpër protesta, po m’vje marre që jam me juve në një organizatë. Aidës, Albinit edhe Kryesisë së Lëvizjes i takon me vendosë se pse, kush edhe qysh ka faj për këtë situatë, jo juve! Jo në këtë mënyrë! Asnjiherë! Kjo çka po e shoh nuk e përfaqëson Lëvizjen edhe idealin e saj” (sic.), ka shtuar Ismaili. /Telegrafi/

Exit mobile version