Site icon Telegrafi

Ismaili: LDK të mbështet ligjin antiCOVID-19 dhe LVV të miratoj marrëveshjet ndërkombëtare

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Ismaili në vazhdimin e seancës në Kuvendin e Kosovës, lidhur me raportimin e kryeministrit Hoti dhe debatin parlamentar për menaxhimin e pandemisë COVID-19 ka folur për gjendjen aktuale për qytetarët në veri të Mitrovicës, për rastin e vdekjes së të riut Agon Musliu, për ligjin Anti – COVID-19 si dhe për Marrëveshjet Ndërkombëtare.

Ismaili ka thënë se disa banorë të veriut të Mitrovicës kanë shpreh shqetësimin e tyre për pandeminë me COVID-19.

Ajo tha se prioritet për ndihmë duhet t’i jepet zonave të varfra siç është rasti i qytetarëve të Mitrovicës, si njëri ndër qytetet më të varfra në Kosovë, përcjell Telegrafi.

“Dështimi më i keq i kësaj qeverie në përballje me COVID-19 është sharrimi më i thellë në gropat që i kanë hapur bashkasharisht me qeverinë paraprake. Disa banorë të veriut të Mitrovicës, ishin në ambientet e Kuvendit për të treguar problemet e tyre me pandeminë për të mos mjaftuar edhe problemet që i kanë tash e disa vite atje. Këta banorë krahas përballjes me probleme ekonomike dhe politike, lënien anash gjatë pandemisë nuk e kanë të re, pasi është hera e dytë. Rritja enorme e rasteve me COVID-19 natyrisht që na shqetëson të gjithëve. Mendja ime shkon tek të prekur dhe tek të moshuarit dhe ata me sëmundje përcjellsshe. Prioritet duhet të kenë zonat e prekura, veçanërisht ato të varfrat siç është edhe qyteti i Mitrovicës. Vonesat  e pagesave nga dy qeveritë, janë vrastare për bizneset e vogla dhe të mesme.  Kërkoj unitet gjithëpërfshirës të palëve të interesit. Si përfaqësuese nga kjo foltore bëj thirrje që respektohen masat mbrojtëse ndaj COVID-19”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ismaili.

Ajo po ashtu theksoi se janë bërë më shumë se 70 ditë nga vdekja e Agon Musliut, dhe siç tha Ismajli ekziston një rrethanë e paqartë në implikimin e faktorëve rreth saj.

“Janë bërë më shumë se 70 ditë nga vdekja e Agon Musliut, në duart e shtetit tonë. Ka një rrethanë të qartë rreth vdekjes së tij, por ka një rrethane të paqartë në implikimin e faktorëve rreth saj dhe ka një rrethanë bukur të qartë në shkaktarë, e ajo është papërgjegjësia e institucioneve. Në rastin e të ndjerit është dashur të shohim një dorëheqje morale për ata që shfaqin moral, e kjo nuk ndodhi. Mos konkretizim i përgjegjësive politike është shqetësimi im konkret. Nga kjo foltore kërkoj drejtësi për Agonin. Që nga marrja e detyrës nuk kanë marr asnjë hap”, u shpreh ajo.

Deputetja Ismaili po ashtu ju bëri thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që të mbështesin ligjin Anti – COVID-19 dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që të miratojnë Marrëveshjet Ndërkombëtare.

“I bëj thirrje deputetëve të LDK që të mbështesin ligjin Anti-COVID-19 dhe LVV që të miratojnë Marrëveshjet Ndërkombëtare, mendoj që jemi katandisur keq”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version