Site icon Telegrafi

Ismaili: Korrupsioni ka dëmtuar rëndë sektorin e shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili në një konferencë për media në Javën kundër korrupsionit tha se korrupsioni ka dëmtuar shumë rëndë sektorin e shëndetësisë në Kosovë dhe ka thyer besimin ndërmjet qytetarit dhe sistemit shëndetësor.

Ismaili tha se me marrjen e mandatit në krye të shëndetësisë ka gjetur situatë kaotike, me kontrata të tejkaluara dhe çmime të fryra.

“Të gjitha kontratat e jashtëligjshme janë ndërprerë… Ministria e Shëndetësisë ka blerë 6 milionë euro barna më lirë se vitin e kaluar”, tha ai.

Sipas tij, korrupsioni në shëndetësi është dhimbje direkte për qytetarët dhe humbje e madhe financiare për ta.

“Korrupsioni lart në institucione varfëron me mijëra familje poshtë. Duke e goditur korrupsionin, ne kemi kursyer qytetarët.  Kjo më së miri mund të shihet në rastin e Imatinibit, një ilaç kundër sëmundjeve të kancerit dhe leukemisë. Në vitin 2016 imatinibi është blerë për 652mijë euro, ndërsa sasinë e njejtë, ne e kemi blerë për 75 mijë euro. Do të thotë, që vetëm për një kontratë, ne kemi shpëtuar 577 mijë euro”, tha ai.

Ismaili theksoi se mungesa e barnave nuk ka qenë gjithmonë si pasojë e buxhetit të vogël, por te barnat që janë blerë shumë më shtrenjtë se që është dashur të blihen, raporton Telegrafi.

Ai tha se ka ende ka punë për tu bërë, por sipas tij, do të vazhdojnë me veprime tjera që ruajnë buxhetin e shtetit dhe të qytetarëve.

Ministri i Shëndetësisë ka folur edhe për hetimin e keqpërdorimeve me barna.

Ai tha se e tyre është t’i japin dokumentet, t’i lajmërojë rastet, ndërsa prokuroria merret me hetimin.

“Gjithë ata që mbajnë pozita publike në Ministrinë e Shëndetësisë duhet të jenë të kujdesshëm dhe nuk do të lejojmë vjedhjen e parasë publike, nuk do të lejojmë që familjet në Kosovë ta vuajnë atë dhe të paguajnë nga xhepi i tyre. Unë jam i bindur që organet e rendit, Prokuroria dhe Policia do të veprojnë shpejt që të krijohet një disponim i mirë, e mos të krijohet ideja që dikush po vjedh po nuk po përgjigjet para ligjit”, theksoi ministri Ismaili. /Telegrafi/

Exit mobile version