Site icon Telegrafi

Ismaili: Hapja e dy sallave të reja në Kardiokirurgji krijon mundësi për eliminimin e listës së pritjes

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha sot se hapja e sallës së dytë operative të Kardiokirurgjisë dhe sallës së dytë të Mjekimit intensiv në këtë klinikë, është një hap shumë i madh për pacientët dhe personelin mjekësor kosovarë, të cilët e kanë mundësinë që tani t’u përgjigjen nevojave të tyre.

Ai tha se deri tani është operuar me një lloj presioni për arsye se ka qenë vetëm një sallë dhe në raste urgjente pacienti është dashur të pres para se t’i krijohet mundësia që të hyjë në operacion.

“Tani kemi një mundësi që në dy salla të operohet dhe realisht ta mënjanojmë edhe listën e pritjes, e cila ka bërë që pacientët të cilët kanë pasur probleme me zemër të presin me vite, në mënyrë që t’i jepet shërbimi i duhur”, tha Ismaili, me rastin e përurimit të sallës së dytë të operimit dhe sallës së dytë të mjekimit intensiv në Klinikën e Kardiokirurgjisë të Qendrës Klinike Universiatre të Kosovës.

Rritja e këtij shërbime në QKUK, theksoi ministri realisht tregon edhe një dimension tjetër – vështirësitë që i ka pasur personeli mjekësor të cilët kanë punuar ndoshta nën presione të mëdha dhe në kushte më të vështira, por që “sot me investime dhe me përkrahjen e tyre jemi duke arritur që të krijojmë shërbime më të shpejta dhe më cilësore për pacientët tanë”.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu tha se dita e sotme është një ditë e madhe për kardiokirurgjinë dhe për krejt shërbimet që i trajtojnë sëmundjet e sistemit kardiovaskular, sepse në njëfarë mënyre përmbyllet një kapitull sa i përket shërbimit të kardiokirurgjisë.

“E mira në këtë klinikë ka filluar me punën 24 orëshe që nga shkurti dhe menjëherë është vërejtur se pacientët nuk kanë dalë jashtë për trajtim nga ajo periudhë, por fillimi i punës së sallës së dytë të kardiokirurgjisë dhe me kapacitete të shtuara të intenzivës së dytë në kardiokirurgji rritet vëllimi i punës, krijohet siguri më e madhe, rritet performanca e mjekëve për arsye se të gjithë pacientët do të trajtohen këtu në institucion publik që do të jetë qendër referente”, tha Sejdiu.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive, Tefik Bekteshi, tha se shërbimi i ka dy salla në kushte të shkëlqyeshme, 16 shtretër, 7 prej të cilëve në mjekimin intensiv; 2 salla operative, 2 të mjekimit intensiv dhe këto janë kapacitete të mjaftueshme që shumë shpejt të largohet edhe lista e pritjes. /Telegrafi/

Exit mobile version